HEC-i në Ashtë, mbyllet faza e parë

05/07/2011 20:00

Pak më shumë se një vit nga nisja e punës për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës, konsorciumi austriak ka lajmëruar përfundimin e fazës së parë të ndërtimit të tij.

Kryeministri Sali Berisha ishte i ftuari kryesor në ceremoninë e organizuar në Ashtë, në zonën e Bushatit. Sipas llogaritjeve, me një investim prej 200 milionë euro efektet pozitive të ndërtimit të këtij hidrocentrali, ku aplikohet për herë të parë teknologjia më moderne e përdorimit të turbinave, kanë të bëjnë jo vetëm me rritjen e prodhimit të energjisë elektrike, por edhe të rritjes së punësimit dhe rritjes ekonomike.

Duke e vlerësuar këtë vepër si një model konkret për realizimin e objektivit “Shqiperia vend i zhvilluar”, kryeministri Berisha e renditi fushën energjitike si një nga përparësitë kryesore të qeverisë së tij.

“Në zhvillimin e një vendi, energja është themeli i të gjitha themeleve, është forca lëvizëse e të gjitha fushave. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që pasuritë e mëdha ujore të këtij vendi të shndërrohen në vlera të mëdha energjetike për Shqipërinë e shqiptarët. Hidrocentrali është një diamant e do të mbetet i tillë në kurorën e qindra hidrocentraleve që do të ndërtohen në këtë vend”, është shprehur Berisha.

Qeveria ka dhënë leje për ndërtimin e 220 hidrocentraleve nga sektori privat dhe sipas kryeministrit në 36 prej tyre po punohet intensivisht. Megjithatë qëllimi final është ndërtimi edhe i shumë veprave të tjera të tilla, në mënyrë që Shqipëria të bëhet qendër rajonale energjitike.

“Ne mbetemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje të inkurajojmë ndërtimin e mbi 443 hidrocentraleve në këtë vend. Ujërat e Shqipërisë duhet të shndërrohen në vlera energjetike për qytetarët shqiptarë. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të bëhet një superfuqi e vogël energjetike në rajon. Përparësia për energjinë është përparësia jonë më madhore”, theksoi Berisha.

Sipas kontratës së nënshkruar nga qeveria me konsorciumin austriak, nga hidrocentrali i Ashtës do të prodhohet energji brenda vitit 2012 dhe ndërtuesit e tij parashikojnë që prej tij të furnizohen me energji 100 mijë familje shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA