Gjakmarrja, “hije” mbi Shqipërinë

05/07/2011 20:10

“Gjakmarrja u hedh hije shpresave për një Shqipëri Moderne”. Prestigjozja britanike “The Guardian” flet për vakuumin e pushtetit prej rrëzimit të komunistit që çon në zbatimin e Kanunit.

Gazetari Piotwr Smolar dhe fotografi Dan Cung kanë takuar një djalë 16 vjeçar, Ismetin, megjithëse ky nuk është emri i tij i vërtetë.

Ai është nga një fshat i Shkodrës dhe fajësohet për diçka që nuk e ka bërë ai, por i ati.

Pas një konflikti për tokën në vitin 2001, i ati vret dy vëllezër që jetonin në fshatin fqinj.

Pas krimit, babai i Ismetit u fsheh në mal. U gjykua në mungesë dhe u dënua me burg të përjetshëm dhe fill pas kësaj u arrestua.

Drejtësia e shtetit u vu në vend, por jo ajo private – shkruan “The Guardian” – pasi familja e autorit të krimit jetonte e izoluar në ngujim.

Prej 10 vjetësh familja e dy vëllezërve të vrarë ka kërkuar hakmarrje, megjithëse gjyshi i tij kishte shkuar në shtëpinë e dy vëllezërve për t’i thënë se nuk ka asnjë problem mes dy familjeve.

Organizata që merren me ndërmjetësimin flasin për mijëra viktima gjatë tranzicionit.

“The Guardian” shkruan se kryeministri Sali Berisha i sheh gjërat ndryshe duke menduar se Kanuni ka edhe meritat e tij sepse ka vepruar si një deterent i fuqishëm.

“Por sa më shumë t’i ngjitesh maleve – e mbyll shkrimin “The Guardian” – aq më tepër kthehesh në të shkuarën. Sa më shumë shpirti i hakmarrjes dëmton brezin e ri, aq më shumë kanuni humbet kuptimin e tij të parë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA