Bode: Kriza preku buxhetin

05/07/2011 16:10

Ministri i Financave pranoi në kuvend se qeveria u detyrua të rishikonte
buxhetin për shkak të krizës, e cila po e mban ekonominë të mbërthyer
në ritme të ngadalta.

“Ndërhyrjet në buxhetin e vitit 2011, për të dytin vit radhazi me shkurtime reflektojnë presionin e krizes ekonomike globale mbi ekonominë shqiptare, por duhet thënë se ekonomia shqiptare vijon të performojë tërësisht në terma pozitivë dhe vijon me rritjen më të lartë ekonomike në të gjithë kontinentin evropian dhe kjo garantohet për vitin 2011”, tha Bode.

Qeveria është në nevojë për para, pasi rritja e ulët ekonomike ka tkurrur të ardhurat nga taksat.

”Sigurisht që ecuria e të ardhurave flet për një diferencë në krahasim me atë që ne kishim programuar, rreth 4.4 përqind me pak, për shkak të një ngadalësimi të kërkesës së brendshme konsumatore, për shkak se ndodhemi në një fazë të investimeve private në përmasa më të mëdha, për shkak të ristrukturimit të kapitalit në ekonominë shqiptare, sidomos në tregun e telekomunikacioneve, që ka përbërë një nga kontribuesit kryesorë të buxhetit të shtetit”, tha Bode.

Për të kompensuar rënien e të ardhurave, qeveria tani po detyrohet të shkurtojë 18.3 miliardë lekë shpenzime. Por mbajtja e borxhit nën kontroll nuk është shqetesimi i vetëm i qeverisë. Frika tjetër është ulja edhe më shumë e rritjes ekonomike, për të cilën qeveria tani ka vetëm një shpresë qe ta shmangë. Atë të rritjes së konsumit të brendshëm, i cili, në gjysmën e parë të vitit u tkurr.

“Vëllimi i makinerive dhe pajisjeve është 37 përqind më i lartë si gjashëmujor, krahasuar me të njëjtin gjashtëmujor të vitit të kaluar, cka do të thotë se kompanitë janë në fazë investimesh. Vëllimi i kredisë për bizneset private është mbi 11 përqind dhe ka tendencë të akselerohet në muajt e fundit “, tha Bode.

Zoti Bode konfirmoi në Komisionin e Ekonomisë se qeveria do heqë doganën e automjeteve për ta zëvendësuar atë me një sistem të ri taksimi në tregun e brendshëm.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA