Të mërkurën Kolegji Zgjedhor do të nisë në orën 10 të paradites shqyrtimin e kërkesës së fundit ankimore të Partisë Socialiste.
Në kërkesë-padi kundërshtohet vendimit 1158 i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për shpalljen e tabelës përmbledhëse të rezultatit për njësinë vendore, Bashkia Tiranë, pas hapjes së 1793 kutive të tjera dhe shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në 284 qendra votimi.
Kjo kërkesë u depozitua në Kolegj më 30 qershor, pas refuzimit që i bëri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për ta shqyrtuar. Kur kjo kërkesë iu paraqit KQZ-së, relatuesi i cështjes, Arben Ristani, argumentoi se shqyrtimi i kërkesë padisë nuk ishte kompetencë e KQZ, por e Kolegjit, kurse pavlefshmërisë i kishte kaluar afati, për shkak se vendim ishte vijim i urdhërimti të mëparshëm të Kolegjit, pra vijim i një kërkese ankimore të mëparshme. Por socialistet nga ana e tyre nenvizuan se Kolegji e kishte rrëzuar vendimin e mëparshëm të KQZ.
Ndaj vendimi i hapjes së kutive të reja dhe rezultati që doli nga kjo, ishte një vendim krejtësisht i ri i KQZ. Këtë argument socialistët do të mbrojnë edhe përpara Kolegjit, i cili duhet të vendosë nëse kërkesa për pavlefshmëri i ka kaluar apo jo afati, dhe nëse jo, provat që do të depozitojë Partia Socialiste a përbëjnë apo jo arsye të mjaftueshme, për të shpallur pavlefshmëri në 284 qendra votimi.
Socialistët kanë thënë se kësaj here përvec provave shkresore do të paraqesin edhe prova filmike të manipulimit, sipas tyre, të rezultatit. Nëse Kolegji e pranon këtë kërkesë të Partisë Socialiste, pavlefshmëria e 284 qendrave të votimit do të cojë në përsëritjen e zgjedhjeve për kryetarin në të gjithë Bashkinë e Tiranës. Por nëse Kolegji e rrëzon kërkesën ose nëse e pushon cështjen, efekti do të jetë i njëjtë, në fuqi do të mbetet tabela e rezultatit e shpallur nga KQZ, ku kandidati Lulzim Basha del fitues me 93 vota para.
Një kërkesë për pavlefshmëri është paraqitur edhe nga Partia e Pensionistëve, ku dy partitë e mëdha janë palë të interesuara, por fati i kësaj kërkese varet nga kërkesa e Partisë Socialiste. Një gjë që ka mbetur pezull është shpërndarja e mandateve për Këshillin Bashkiak të Tiranës, këshill që pasi konstituohet shpall kryetarin e ri të bashkisë. Seanca e të mërkurës do të drejtohet nga gjyqtari Astrit Kalaja. Përvec tij pjesë e trupës gjyqësore do të jetë edhe gjyqtarja Sashenka Jonuzi, e cila së bashku me gjyqtarin Kalaja kanë qenë të pranishëm në të dy seancat e mërpashme për Tiranën, në datë 3 dhe 13 qershor. Gjyqtarët e tjerë do të jenë Petraq Dhimitri, i pranishëm në seancën e datës 3 dhe Marie Qiriazi me Dhurata Haverin, të pranishme në seancën e datës 13 qershor.
Top Channel