Qeveria e Serbisë e konsideron marrëveshjen me Kosovën për lirinë e lëvizjes si ndihmë për qytetarët e Serbisë. Me këtë nënkuptohet edhe shqiptarëve të Kosovës, që nuk kanë dokumente të tjera.

Ndërkaq, opozita konsideron se kjo është goditja më e madhe që i është bërë Serbisë në lobimin kundër pavarësisë.

Por, edhe brenda opozitës ka mendime të ndryshme. Partia Progresiste e Serbisë konsideron se Serbia nuk guxon ta pranojë pavarësinë e Kosovës, por bisedimet duhet të vazhdojnë.

Zyrtarët e kësaj partie kanë thënë se Kosova është pjesë e Serbisë, por duhet të ndihmohen qytetarët që të lëvizin të lirë.

Ndërkaq, ish-kryeministri, Vojisllav Koshtunica ka theksuar se me këtë marrëveshje janë dëmtuar interesat e Serbisë dhe është luhatur besimi i shteteve që kundërshtojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ndërsa serbët e Mitrovicës në Kuvendin e Komunave serbe kanë paralajmëruar një padi penale kundër Borko Stefanovic, kryenegociatorit serb, pasi kjo paraqet tradhtinë më të madhe ndaj Serbisë.

Qytetarët e Kosovës me një vërtetim shtesë do të mund të përdorin kartat e identitetit për të udhëtuar drejt Serbisë në të ardhmen.

Top Channel