Hiqet dogana për makinat

04/07/2011 15:00

Cmimet e automjeteve në tregun e brendshëm pritet të ulen ndjeshëm, pasi
qeveria ka vendosur të heqë doganën dhe taksën e shitjes brenda vendit.

Top Channel ka mësuar formulën e re të përgatitur nga Ministria e Financave që shumë shpejt do i dërgohet si draft qeverisë dhe më pas kuvendit për votim së bashku me ndryshimet në buxhet. Sipas draftit, qytetarët që importojnë një automjet nga jashtë tani nuk do të paguajnë më doganë, por ajo do të zëvendësohet nga një taksë tjetër, e cila do të paguhet cdo vit, kur bëhet kolaudimi i makinës.

Taksa e re bazohet pak a shumë tek e njëjta formulë si ajo e taksës së importit, por duke qenë se do jetë e shtrirë në vite, shuma që do paguhet për cdo vit është dhjetëra herë më e ulët nga taksa ekzistuese, e cila në disa raste ishte sa tre apo katërfishi i cmimit të vetë automjetit. Edhe taksa e re varet sërish nga numri i viteve të përdorimit të automjetit dhe cilindratat e saj.

Por ajo që ndryshon është se nëse tani qytetari që importonte një automjet e paguante menjëherë detyrimin në doganë, taksa e re e shtire atë në vite. Paralelisht me doganën dhe taksën e shitjes brenda vendit do të hiqet edhe taksa e qarkullimit dhe ajo e regjistrimit, të cilat nuk do të paguhen më cdo vit, sikurse është bërë deri më tani, por do të mblidhen në mënyrë indirekte përmes rritjes së taksave të karburanit.

Burime i thanë Top Channel, se qeveria do të rrisë me 2 lekë për litër taksat e karburanit, cka sipas tyre bën një shpërndarje më të drejtë të taksës. Pasi aktualisht taksa e qarkullimit është e njëjtë si për ata qytetarë që i përdorin shumë automjetet e tyre ashtu edhe për ata familjarë që i përdorin më pak. Me formulën e re, taksa që një qytetar do paguajë për qarkullim dhe regjistrim do të varet nga sa ai e përdor automjetin e tij sepse do jetë e inkorpurar në karburant.        

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA