Bllokimi i pronave të Ali Evsen

04/07/2011 20:05

Katër shoqëri, të cilat i përfaqëson me aksione Ali Evsen, i janë drejtuar me një memo dhe kërkesë ankimore nëpermjet avokatit të tyre Vladimir Meci, prokurores së përgjitshme Ina Rama dhe Gjykatës së Apelit.

Shoqëria “Albanian Airlines”, shoqëria “Elite Medica”, shoqëria “Albanian Electronic Company” dhe shoqëria “Nur Eiruej” kundërshtojnë në këto dy dokumente caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” ndaj 12 llogarive bankare, si të shpallur në kundërshtim me provat dhe legjislacionin shqiptar.

Në memon drejtuar prokurores së përgjithshme, avokati Vladimir Meci nënvizon se gjykata jo vetëm ka bllokuar llogaritë në të gjitha bankat në të cilat operojnë subjektet e mësipërme, por ka bllokuar edhe aktivitetin e tyre tregtar dhe ekonomik duke rrezikuar kështu falimentimin.

Këto veprime, shpjegon avokati, janë kryer pa mbledhur prova minimale dhe bindëse për të vërtetuar ekzistencën e faktit kriminal që do të conte më pas në fillimin e procedimit penal, por është marrë i mirëqënë vetëm nga një informacion i policisë shqiptare, që raporton arrestimin e Ali Evsen në Madrid.

Historiku i regjistrimit të procedimit penal ndaj Evsen në Shqipëri për pastrim të produkteve të veprës penale pranohet edhe në vendimin e gjykatës së shkallës së parë kur shpalli sekuestron preventive ndaj llogarive bankare të të hetuarit.

Avokati thotë se nuk mjafton vetëm regjistrimi i një procedimi penal për të justifikuar sekuestron, sepse nuk jepet asnjë indicje nga prokuroria nëse arrestimi i Evsen në Spanje ka lidhje me aktivitetin e tij në Shqiperi.

Sekuestroja, thote avokati Meci, është shtrirë edhe mbi persona të tjerë, madje edhe ndaj llogarive të tyre personale pa patur ndonjë indicje nëse ata janë përfshirë apo jo në aktivitet të paligjshëm.

Duke përmendur shoqërinë ajrore “Albanian Airlines”, avokati Meci thotë në memon e dërguar zonjes Ina Rama se, bllokimi i aktivitetit të shoqërise rrezikon interesat e mbi 25 mijë pasagjerëve që për muajt korrik-shtator kanë prenotuar fluturimin me avionët e kësaj shoqërie.

Edhe në ankimin drejtuar Gjykatës së Apelit avokati kërkon shfuqizimin e vendimit të gjykatës së Tiranës, si të pabazuar në ligj me të njëjtat argumente sikurse ato drejtuar numrit një të akuzës shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA