Më 2 korrik të vitit 1990, plotë 21 vjet më parë, me anë të një akti Kosova u shpall republikë, njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave, pra e barabartë me të gjitha republikat tjera të ish Jugosllavisë.

Po ashtu, deklarata shprehte aspiratën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi dhe do të vinte në momentet kur vetëm një vit më parë autonomia e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë së atëhershme ishte shuar.

Dhe fill pas kësaj, Serbia do të vendoset gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, duke shënuar një moment kthehesë për shqiptarët e Kosovës. Feride Hyseni, ish deputete e asaj kohe e Kuvendit, kujton ngjarjen historike të para 21 vjetëve.

“Është kohë e pa krahasueshme. Do të thotë ne sot kemi qenë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës. Ndërsa në atë kohë kur ne ishim delegate na është mbyllur salla, do të thotë në një akt sublim shekullor të vetë popullatës ne e kemi bërë parandërtesës, për shkak se me dhunë është mbyll salla”, ish deputetja Feride Hyseni.

Të shtunën, ajo me kolegët e saj, që shpallen deklaratën e pavarësisë, u pritën nga zëvëndës kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili vlerësoi se asokohe do të ndodhte shkëputja insitucionale me Serbinë.

“Unë jami bindur se 2 korrikun dikush e quan hyrje institucionale me Serbinë. Unë e them se 2 korriku është shkëputje institucionale me Serbinë, dhe prej asaj dite nuk ka pasur më lidhje institucionale. Dhe sot që jemi të pavarur ka qenë vetëm shkëputje me Serbinë. Në këtë drejtim akti i juaj i mbështetur nga të gjitha institucionet më pastaj ka qenë një shkëputje institucionale e drejtë dhe një shkëputje në kuptimin faktikë do të thosha shtetërore nga Republika e Serbisë”, theksoi Hajredin Kuçi, zëvendeskryeministri i Kosovës.

Dy muaj pas kësaj ngjarjeje, më 7 shtator të vitit 1990, të njëjtët delegatë patën nxjerrë edhe aktin më të lartë juridik Kushtetutën.

Top Channel