Vuçiç në Francë: Serbia s’është në linjë me politikën botërore për shkak të Kosovës, duhen vendime të guximshme
Parlamenti grek ka aprovuar në parim me 155 vota “pro” nga 296 deputetë të pranishëm, ligjin për zbatimin e Planit Afatmesëm që përmban masat e ashpra anti-krizë.
Në votimin nen për nen edhe deputetët e Demokracisë së Re kanë votuar “pro” në 22 nga 49 nene, të cilat u përkasin cështjeve të privatizimeve, të reduktimit të numrit të nënpunësve të aparatit shtetëror dhe të vlerësimit të pasurisë shtetërore. Një deputete e Pasok-ut ka votuar kundër dhjetë neneve që u përkasin privatizimeve.
Një zhvillim pozitiv për krizën greke cilësohet edhe marrëveshja e arritur orët e fundit nga bankat gjermane me Ministrinë e Financave në Berlin për pjesëmarrjen e tyre në planin e zgjatjes së kohës së pagesës së borxhit grek.
“155 vota = 120 miliard euro” shkruan proqeveritarja “Ta Nea” që thekson se votimi i masave në parlament i jep një frymëmarrje vendit për një ndihmë të re nga BE.
Por pavarësisht se dy votimet e rëndësishme kanë kaluar në parlament, analistët theksojnë se nëse qeveria nuk do të mund të zbatojë këto masa deri në vjeshtën e ardhshme, me siguri që vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohëshme.
Kohën më të madhe në seancën e së enjtes e kanë zënë diskutimet me akuza nga partitë opozitare për ngjarjet e dhunshme të ditës së mërkurë në sheshin Sintagma para parlamentit.
Në shtypin grek cilësohet gjithë aksioni i policisë si një “terrorizëm shtetëror i paparë”. “Policia keqmenaxhoi situatën dhe kjo i ka kushtuar shtetit 50 milion euro dëme”, shkruajnë disa gazeta opozitare që përmendin faktin e përdorimit pa shkak të mbi 30000 bombave tymuese, 8000 bombave me gaz lotsjellës dhe 10000 shisheve me lëndë kimike që u hodhën ndaj protestuesve.
Brigadave komunale të bashkisë u janë dashur orë të tëra për të pastruar qendrën e kryeqytetit që u kthye në 48 orët e fundit në një shesh-betejë.
Top Channel