
Nis me sukses aventura europiane në futboll për dy skuadrat shqiptare në raundin e parë të eliminatoreve të Ligës së Europës.
Në këtë raund, Flamurtari e Vllaznia luajtën që të dyja në transfertë përkatësisht në Mal të Zi dhe në Maltë.
Vlonjatët u përballën në Podgoricë me Buducnostin të cilin e mposhtën me rezultatin 3-1. Goli i parë u shënua nga Shehaj në minutën e 23 të takimit. Me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë.
Pak minuta nga nisja e pjesës së dytë vendasit barazojnë me anë të Boskovic. Por rezultati 1-1 qendron në fuqi vetëm 10 minuta pas Flamurtari kalon sërish në avantazh, këtë herë falë një autogoli të shënuar nga Radunovic.
Rezultati 3-1 vuloset 2 minuta më vonë kur Sakaj transformon në gol një 11 metërsh të fituar nga vlonjatët.
Ndërkohë, në Maltë Vllaznisë i ka mjaftuar një gol i shënuar nga Sukaj që në minutën e dytë të takimit për të dalë fitues përballë skuadrës vendase, Birkirkara.
Ndeshjet e kthimit luhen më 7 korrik, megjithatë, me këto rezultate dhe duke patur parasysh nivelin e kundërshtarëve, mund të thuhet se dy skuadrat shqiptare janë të kualifikuara për në turin tjetër eliminator të Ligës së Europës.
Top Channel