Starton me një mungesë të rëndësishme aventura malteze e Vllaznisë.
Përfundimisht afrikani Abraham Alechenu nuk ka mundur të bashkohet me
ekipin në rrugën për në ishullin mesdhetar, ku edhe shkodranët do të
luajnë ndeshjen e parë të turit I paraeliminator të Europa League ndaj
vendasve të Birkirkarasë.
Kuqeblutë kanë udhëtuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm në drejtim të Italisë (ora 04.00 nisja nga Shkodra, në orën 07.00 janë nisur nga Rinasi drejt Romës), nga ku transit do të fluturojnë drejt kryeqytetit të Maltës, La Valeta. Me ekipin kanë udhëtuar 18 futbollistë.
Ata janë portierët Vujadinoviç, Rexhepi, pastaj me radhë: Smajli, Rajoviç, Sykaj, Popoviç, Belisha, Gocaj, Nallbani, Sukaj, Vajushi, Danaj, Erkoçeviç, Nimani, Baci, Djepaxhia, Shtubina dhe Hasani.
Pas akomodimit në hotel, pasdite skuadra ka zhvilluar një seancë stërvitore. Mungesa e Abraham ka prishur një pjesë të planeve të trajnerit Mirel Josa, i cili gjithsesi synon të ndërtojë një skuadër që do të mundohet t’u imponojë lojën kundërshtare dhe të gjejë golat, që do të bënin të mundur realizimin e dëshirës së presidentit Valter Fushaj: “Sigurimin e kualifikimit që në Maltë”.
Edhe pse Josa e di mirë se niveli i futbollit maltez është më i dobët se ai shqiptar, vetë trajneri tregohet më i rezervuar në deklaratat për kualifikimin e mundshëm.
“Unë nuk eci me bindje në futboll, futbolli shqiptar ka qenë më lart se futbolli maltez. Teorikisht jemi më lart, por nuk e dimë gjendjen e kundërshtarit”, theksoi trajneri i kuqebluve.
Gjithsesi tekniku i shkodranëve do të duhet të kënaqet me mundësinë për të pasur në ekip Vajushin dhe me rikthimin e Shtubinës. Ky i fundit, edhe pse ka munguar për pjesën më të madhe të fazës përgatitore, pasi ka qenë në negociata për të luajtur në një kampionat të huaj, pritet të zbresë në fushë që nga minuta e parë. “Shtubina dëshiron të luajë jashtë, kjo e ka penguar që të jetë që në fillim.
Gjithsesi në kontratë e ka që të luajë në kompeticionin europian, më pas të shikojmë”, u shpreh dje pak para nisjes në aeroportin e “Nënë Terezës” presidenti Fushaj. Më i drejtpërdrejtë sesa trajneri Josa është numri një i klubit shkodran, i cili nuk ngurron që të shikojë më tej se sa ndeshja me Birkirkaranë dhe të përcaktojë turin e tretë. Pra synon të mundë zviceranët e Thun në turin e dytë dhe të kualifikohet për më tej.
“Ishte një short i kënaqshëm, megjithatë futbolli është futboll dhe nuk i dihet, nënvizon Fushaj. Do të tentojmë turin e dytë. Turin I e kemi kaluar gjithnjë, siç dihet. Në turin II jemi përballur me skuadra shumë të forta, por e kemi pasur shumë të vështirë kualifikimin për në turin III. Këtë radhë mendoj se do të kalojmë turin e parë dhe do të kalojmë edhe turin e dytë. Jemi mobilizuar maksimalisht”. Për sa i përket mungesës së afrimeve në merkato, drejtuesi i lartë i shkodranëve sqaroi se “periudha e merkatos përkoi me një situatë të vështirë për ne, por edhe koha nuk është se premtonte shumë. Lojtarët cilësorë kanë pretendime të mëdha, ndërsa duhej edhe kohë për t’u ambientuar me ekipin, ndaj menduam se do të ishte më mirë që të shkonim me grupin aktual”, përfundoi Fushaj.
Top Channel