Kur të gjithë prisnin që në Korçë të “zbarkonte” Pero Pejiç, skenari i merkatos së Skënderbeut ndryshoi në mënyrë surprizë.
Sulmuesi kroat, që gjatë sezonit të kaluar ishte një prej protagonistëve të Tiranës në triumfin në Kupën e Shqipërisë, “dribloi” bardhekuqtë.
Me gjithë “deklaratat e dashurisë”, ai preferoi të provonte aventurën në kampionatin arab. Një lëvizje që gjithsesi nuk i ka gjetur të papërgatitur drejtuesit e kampionëve të Shqipërisë: menjëherë sapo ka rënë pista Pejiç, në Korçë zyrtarizuan blerjen e Markos Dos Santos. Braziliani është një emër i njohur në Kategorinë Superiore, ku ka mbrojtur ngjyrat e Gramozit dhe Besës.
Pikërisht e kaluara e tij në Kavajë i ka shërbyer sulmuesit në transferimin drejt Skënderbeut. Kjo për faktin se trajneri Shpëtim Duro e njeh mirë dhe nuk ka ngurruar t’i hapë dyert e skuadrës. Dos Santos është blerja e dytë në harkun e pak orëve, pas spanjollit Robles. Stafi teknik është shprehur se ish-lojtari i të rinjve të Barcelonës, që luan si mbrojtës i djathtë, nuk është në gjendjen optimale fizike, megjithatë do të vazhdojë stërvitjen me ekipin.
Por, merkato e Skënderbeut nuk duket e destinuar të përfundojë me kaq. Në Korçë synojnë të afrojnë Jahmir Hykën. Mesfushori i kombëtares dukej fare pranë transferimit te zviceranët e Luzernës, por Tirana e ka penguar, duke pretenduar 50 mijë euro për prishjen e kontratës që zgjat deri në janar 2013.
Natyrisht që 23-vjeçari pretendon të luajë në Superligën helvete, por në qytetin juglindor besojnë se kanë shanse të mira për të afruar edhe Hykën. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, Skënderbeu do të niset drejt Gjermanisë, për të kaluar më pas në Austri, ku do të zhvillojë fazën përgatitore 10-ditore. Skuadra e kaloi mbrëmjen e grumbulluar në Durrës, ndërsa tani do të nisë përgatitjet e fundit për ndeshjet në Champions League.
Top Channel