Pavarësisht se për disa orë kamerat e të gjitha mediave vendase dhe të huaja u fokusuan tek konfrontimet e dhunshme në qendër të Athinës, vëmendja kryesore e të gjithëve është padyshim tek ajo cka ndodh brenda parlamentit grek.

Aprovimi me shumicë votash, të paktën 151 nga gjithësej 300, i Planit Afatmesëm dhe i ligjit për zbatimin e tij, do të jetë një oksigjen i domosdoshëm për shtetin grek.

Athina do të marrë këstin e pestë të ndihmës pas disa ditësh, si dhe do të sigurojë bazat për një paketë tjetër prej 120 miliard eurosh, deri në vitin 2014 me qëllim rimëkembjen e ekonomisë.

Për Papandreun dhe qeverinë që ai drejton është shpresëdhënës miratimi që ju bë në parim dy ligjeve, pavarësisht presionit të madh të sindikatave greke që shpallën një grevë 48 orëshe duke paralizuar gjithë vendin.

Prej mëngjesit të së martës në të gjithë vendin janë të mbyllura shërbimet e administratës shtetërore dhe asaj publike, bankat, organet e tatimtaksave, spitalet funksionojnë me personel sigurie. Janë anuluar dhe janë shtyrë dhjetra fluturime nga shoqëritë ajrore, si dhe udhëtimet me anije dhe trena. Probleme ka pasur në pikat kufitare me Shqipërinë sidomos në atë të Kapshticës.

Qytetarët grekë që kanë rrethuar për të 34 ditë rresht parlamentin, i quajnë këto masa si një ndëshkim për të varfërit dhe shtresën e mesme, të cilët po provojnë edhe njëherë reduktimet e mëdha të të ardhurave dhe taksat e reja në kurriz të tyre, duke paguar në këtë mënyrë padrejtësisht gabimet e klasës politike vendase në  dekadat e fundit.

Ndërkohë edhe ata deputetë socialistë që në shenjë proteste ndaj masave shpreheshin se edhe mund të mos i aprovonin, tashmë deklarojnë se nga dy të këqijat, falimentimin apo masat e ashpra financiare do të zgjidhin shpëtimin e vendit.

Kjo edhe për faktin se në kundërshtim me zërat që qarkulluan, Komisioneri i BE për Ekonomine, Olli Rehn, ka deklaruar përsëri të martën se nëse nuk aprovohen masat nga paralmenti, nuk ekziston asnjë plan B shpëtimi nga falimentimi për Greqinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA