Ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman po qendron në Tiranë në një vizitë të rrallë pasi kjo është hera e parë pas 17 vjetësh që një Ministër i Jashtëm i izraelit viziton Shqipërinë.
Marrëdhëniet mes dy vendeve u konsideruan nga të dy shefat e diplomacisë si shumë të mira dhe sic tha zoti Lieberman kjo është për shkak se Shqipëria dhe Izraeli kanë qendrime të njëjta për pothuajse të gjitha cështjet më të rëndësishme ndërkombëtare.
Por për një nga cështjet më të nxehta ndërkombëtare, kërkesën eventuale të Autoritetit Palestinez për t’u njohur si shtet i pavarur as Avigdor Lieberman, as Edmond Haxhinasto nuk e përmenden në deklaratat e tyre në Tiranë.
Sipas medias izraelite, përvec qëllimit për të prezantuar mundësitë e investimit tek biznesi izraelit, Ministri i Jashtëm Lieberman ka ndërmarrë turin nëpër Europë, përfshirë edhe Shqipërinë për të siguruar sa më shumë vota kundër kërkesës së palestinezëve për pavarësi, kërkesë e cila pritet të depozitohet dhe të hidhet në votim në shtator në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Nuk dihet ende cfarë qendrimi do të mbajë Shqipëria në këtë cështje të nxehtë ndërkombëtare, por e sigurt është se ajo votën e saj nuk do ta këmbejë me një njohje të Kosovës nga ana e Izraelit.
Shefi i diplomacise izraelite, duke uruar që në të ardhmen rajoni i Lindjes së Mesme të bëhet po kaq paqësor sa rajoni i Ballkanit, bëri të qartë qendrimin e vendit të tij për Kosovën.
“Do ta njohim pasi këtë ta bëjë Spanja, Greqia dhe Qipro”, tha Liberman.
Shqipëria, historikisht, por edhe kur Kosova shpalli pavarësinë në mënyrë të njëanëshme, tha se ky ishte një rast sui generis, pra unik, që nuk ngjan me asnjë shtet tjeter.
Kështu që, nga ky këndveshtrim, vota e Shqipërisë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, mund të mos jetë përcaktuese, por është shumë interesante.
Top Channel