Gjika: Flamurtari nuk ka asnjë shans të mbetet jashtë Europës

28/06/2011 12:00

Flamurtari nuk do të mbetet jashtë kupave të Europës. Kjo është bindja e
presidentit Shpëtim Gjika, që vetëm pak ditë më parë mori aprovimin
unanim të këshillit bashkiak të Vlorës, për kalimin e klubit në sh.a.

Por, së fundmi, prefekti i qytetit bregdetar, Eduart Veçani, ktheu edhe një herë për shqyrtim vendimin, duke bërë që klubi të rrezikojë mosplotësimin në kohë të kërkesave të UEFA-s dhe të rrezikojë pjesëmarrjen në Europa League.

Për këtë çështje, kryebashkiaku Gjika nuk ka asnjë koment, edhe sepse ai nuk ka marrë asnjë informacion zyrtar për bllokimin e procedurave në prefekturë. “Nuk kam asnjë koment për refuzimin e perfektit në kalimin e klubit në sh.a. Në tryezën time të punës nuk ka ardhur asnjë informacion zyrtar dhe kjo është arsyeja përse nuk mund të shprehem rreth kësaj çështjeje. Bashkia është një institucion dhe si i tillë gjithçka bëhet me shkresa zyrtare. Nesër është afati i fundit dhe për çdo gjë që mund të ndodhë, do të flasim në orët në vazhdim”, deklaroi drejtuesi i klubit vlonjat.

Më tej, Gjika shtoi: A i trembem faktit që Flamurtari mund të mbetet jashtë Europa League? Nuk ka asnjë shans që skuadra të mos luajë në Kupat e Europës. Në të njëjtën situatë ndodhet edhe Buduçnosti: edhe kundërshtari ynë varet nga Bashkia e Podgoricës dhe ata janë në fazën e kalimit në sh.a për të përmbushur kërkesat e UEFA-s. Kështu i bie që asnjë nga dy skuadrat të mos luajnë”.

Buduçnosti i Podgoricës është rivali i kuqezinjve në turin e parë eliminator në Europa League. Fakti që goglat në Nion kanë vendosur kundërshtarin malazez përballë Flamurtarit, ka bërë që të gjithë në Vlorë të besojnë te kualifikimi, ndërsa në rast se kjo ndodh, në turin e dytë ata do të përballen me çekët e Jablonec. Megjithatë, drejtuesi i klubit kuqezi shprehet i përmbajtur.

 

Top Channel