Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, gjatë kësaj jave do t’ia dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë fituesit të zgjedhjeve të 5 qershorit, kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Paralelisht me procedurat ligjore për formimin e qeverisë së re, po zhvillohen edhe negociatat mes VMRO-DPMNE-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim.

Në këto bisedime, përfaësuesit e BDI-së, po kërkojnë që në mandatin e ardhshëm të drejtojnë ato ministri që kanë për qëllim kryesor integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO.

“Prandaj jemi përcaktuar për zv/kryeministër për cështjet europiane që do të jetë bartës i të gjitha aktiviteteve dhe koordinimit për plotësimin e kriteriumeve të Maqedonisë për anëtarësim në BE. Dhe për ministrinë e Mbrojtjes, e cila është bartëse e aktiviteteve për integrimin e Maqedonisë në NATO”, ka deklaruar Abdilaqim Ademi, zv/kryeministër i Maqedonisë.

Drejtuesit e BDI-së pohojnë se programi i tyre parazgjedhor do të inkorporohet në programin qeveritar, ndërsa zotohen se në mandatin e ardhshëm do të mbyllen shumë cëshjte, si në planin e brendëshëm, po ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

“Programi i qeverisë do të jetë program i përbashkët i dy partive politike fituese, pra VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së dhe kjo ndoshta ndodh për herë të parë në historinë e pluralizmit në Maqedoni. Ne bisedojmë për një program 4-vjecar, në atë program do të jenë të gjitha temat e hapura që deri tani kanë ekzistuar dhe problemet që kanë shkaktuar ndonjëherë edhe prishjen e marrëdhënieve ndëretnike”, ka pohuar Ademi.

Në ekzekutivin e ri, BDI-ja do të këtë dy poste të zëvendëskryeministrave dhe 5 poste ministrash. Opozita dhe analistët kanë lëshuar akuza të forta në drejtim të BDI-së për shkak të mospërmbushjes së premtimit që posti i kryetarit të Parlamentit t’i takojë shqiptarëve. Qeveria e ardhshme e Maqedonisë duhet të votohet më së voni deri më 10 gusht.

Top Channel