
Kjo që sapo u mbyll duhej të ishte java decizive për shkëmbimin, tashmë
të shndërruar në telenovelë, Muslera-Cana, mes Lacios dhe Gallatasarait.
Në fillim palët kanë qenë shumë pranë, më pas shumë larg, tani në fund po verifikohet një farë bllokimi. Gjithçka varet nga vullneti i Muslerës, madje për të qenë precizë, nga menaxheri i tij Daniel Fonseka.
Marrëdhëniet e këqija mes presidentit lacial, Lotito, dhe ish-sulmuesit të Romës, në fakt kanë qenë deri tani elementi i shqetësimit në tratativa dhe pengesa kryesore për tifozët që të përqafojnë Lorik Canën.
Mesfushori shqiptar, sipas mediave italiane, vazhdon të çojë mesazhe dashurie për skuadrën bardhekaltër dhe mediat turke shkruajnë se pikërisht të premten është arritur një marrëveshje përfundimtare mes Lotitos dhe Agim Canës, babait të futbollistit dhe njëkohësisht edhe menaxher i tij në këto negociata.
Lacio, sikurse shkruajnë në Bosfor, i ka ofruar futbollistit 1.7 milionë euro në vit për katër sezone. Kjo shumë, edhe pse është një ulje e rrogës së tij në krahasim me atë që merr te Gallatasarai, duket se i kënaq kërkesat e shqiptarit, i cili është i lumtur që do të zbarkojë në Romë në klubin e mikut të tij të vjetër Igli Tare, aktualisht drejtor sportiv i Lacios.
I pyetur se “çfarë efekti ju bën kur shikoni se rreth Lorik Canës ka shumë entuziazëm?”, Tare është përgjigjur: “Të flas për një mik dhe një bashkëkombës si Loriku më detyron të vihem disi në vështirësi, – ka deklaruar drejtori sportiv i Lacios në kolonat e gazetës italiane ‘Il Messaggero’. – Është një lojtar i madh dhe mund ta bëjë akoma edhe më të fortë mesfushën tonë”.
Top Channel