
Në fund të muajit qershor dy bashkëraportuesit e Këshillit të Europës për Shqipërinë, Jaakko Laakso nga Finlanda dhe David Wilshire nga Mbretëria e Bashkuar priten të jenë në Tiranë për të dhënë rekomandimet e organizmit që ata përfaqësojnë.
Konfirmohet se vizita e tyre do të jetë menjëherë pas mbylljes së procesit zgjedhor të 8 majit. Sipas burimeve, të cilave iu referohet gazeta “Shqip”, dy raportuesit Wilshire dhe Laakso do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë si Presidenti Topi, Kryeministri Berisha dhe përfaqësuesit kryesorë të partive politike të mazhorancës dhe opozitës.
Komiteti i Monitorimit në KiE hartoi dhe miratoi një draft-rezolutë për Shqipërinë, ku bën thirrje për dialog polik dhe dhënien fund të bojkotit të opozitës në Kuvend.
Raporti është i përgatitur nga Komiteti i Monitorimit, me drejtues Dick Marty-n, tashmë i njohur në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit, për sa i përket çështjes së trafikimit të organeve dhe akuzave ndaj luftëtarëve të UÇK-së.
Top Channel