Në Maqedoni është konstituuar dje Parlamenti i ri, kryetar i të cilit është rizgjedhur Trajko Veljanovski, me 70 votat e mazhorancës.

Opozita maqedonase votoi kundër Veljanovskit, për shkak të politizimit të shprehur nga ai gjatë legjislaturës së kaluar.

Por kryetari, nga ana e tij ka deklaruar se respektimi i Kushtetutës, ligjeve dhe rregullores së Kuvendit do të jenë prioritetet e tij.

“Interesi im parësor do të mbetet Maqedonia, ndërsa mjetet për arritjen e këtij qëllimi do të mbeten Kushtetuta, ligjet dhe rregullorja e Parlamentit”, ka pohuar Veljanovski.

Partia shqiptare në opozitë, PDSH, ka kritikuar subjektin tjetër shqiptar, BDI, për rizgjedhjen e Veljanovskit në krye të Parlamentit.

PDSH ka theksuar se BDI në këtë mënyrë nuk po përmbush premtimet e bëra ndaj shqiptarëve, por partia e Ali Ahmetit e ka hedhur poshtë këtë pretendim.

BDI, në bazë të marrëveshjes me VMRO/DPMNE, do të drejtojë pesë ministri dhe dy poste zëvendëskryeministrash.

Top Channel