
Një vajzë tre vjeçe u vra dje dhe dy të afërm të saj u plagosën në Delvinë, kur një 74-vjeçar sulmoi me granata shtëpinë ku jetonte familja Vathi.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 17:00 në lagjen “Xhermëhallë” të Delvinës, ku Selman Meleqi 74-vjeç hodhi dy granata dore në banesën dykatëshe, duke menduar se po sulmonte një tjetër shtetas, me të cilin kishte konflikt pronësie.
Gabimi i shënjestrës i ka kushtuar jetën 3-vjeçares Sara Zera dhe ka lënë të plagosur rëndë nënën e saj Age Zera, 35 vjeçe dhe gjyshin Nikollë Vathi.
Sipas policisë shënjestra ka qenë Syrja Boçi, por atentatori nuk ka pasur informacion të saktë për adresën e tij dhe ka sulmuar gabimisht familjen Vathi me origjinë nga Shkodra, që jetonte me qira në ndërtesën e vjetër.
Në banesë ndodheshin çifti i bashkëshortëve Nikollë e Bardha Vathi, vajza e tyre Age Zera dhe mbesa tre vjeçare Sara. Nga shpërthimi i granatave ka mbetur e vdekur në vend vogëlushja, ndërsa janë plagosur rëndë Nikollë Vathi dhe Age Zera.
Policia e Delvinës me përforcime edhe nga Saranda ka arrestuar menjëherë autorin e krimit të rëndë, i cili ishte i tronditur pasi mësoi se kishte sulmuar gabimisht familjen Vathi dhe nuk ka bërë rezistencë.
Top Channel