Monedha europiane ka pësuar ulje të ndjeshme gjatë ditëve të fundit.
Banka e Shqipërisë raporton se dje, euro është shitur për 141.33 lekë,
ose 0.04 lekë më lirë se një ditë më parë. Për më shumë se një javë,
euro ka zbritur nën nivelin e 142 lekëve, kuotë e cila qëndroi për disa
muaj, madje duke u afruar deri në 143 lekë.
Ekspertët gjykojnë se zbutja monedhës unike vjen si pasojë e lëvizjeve nga sektori i turizmit. Megjithatë, kjo është njëra anë, pasi euro po dobësohet edhe ndaj monedhave të tjera. Shkak për këtë është bërë kriza në Greqi, borxhet e së cilës kanë krijuar pasiguri për vendet e tjera të Eurozonës.
Një zbutje e monedhës europiane padyshim që reflekton pozitivisht në disa sektorë të ekonomisë, duke filluar me importet, ku mallrat e blera nga jashtë vijnë me çmime më të lira. Sikurse është konfirmuar nga BSH-ja, një pjesë e nivelit aktual të inflacionit, prej 4.2 përqindësh i dedikohet presioneve që vijnë nga jashtë, si bursa dhe kursi i këmbimit.
Ulja e euros i jep mundësi konsumatorit të shkëmbejë mallra dhe shërbime në tregun vendas me çmime më të lira. Këtu kemi parasysh sektorin e ndërtimit, i cili i ofron hapësirat me euro, pajisjet elektronike dhe deri te paketat turistike.
Tjetër ndikim jo pak i rëndësishëm, pozitiv është edhe ai i kësteve të kredisë, që shlyhen në monedhën europiane.
Nga ana tjetër, qeveria mbledh më pak të ardhura nga taksa e mallrave të importit. Shqipëria kryen tregti me rreth 65 për qind ndaj totalit me vendet e Bashkimit Europian. Kjo do të thotë se presioni i monedhës europiane ndaj ekonomisë shqiptare është tejet i madh. Kujtojmë se Shqipëria rrethohet tërësisht nga vende që përdorin euron, përjashto Maqedoninë.
Debati mbi eurorizimin ka përfshirë shumë ekspertë të ekonomisë, ku një pjesë e shikojnë të ardhmen e vendit si pjesë e Eurozonës. Vetë Kryeministri Berisha deklaroi pak kohë më parë se e ardhmja e Shqipërisë është euro, por Banka e Shqipërisë sqaron se përdorimi i kësaj monedhe kërkon realizimin e disa kushteve të forta. Rasti me Greqinë e bën edhe më të vështirë kalimin e vendit tonë në euro, sikurse shumë vende të BE-së nuk kanë pranuar ta përdorin monedhën si mundësi për t’u mos u përfshirë nga kriza.
Top Channel