Gerhard Progni, në provë tek Otelul Galati

24/06/2011 11:25

Gerhard Progni është fare pranë transferimit në Ligën I rumune.
Mesfushori, që ka shkëlqyer gjatë sezonit të kaluar me Flamurtarin, ka
nisur periudhën e provës tek Otelul Galati, skuadra që fitoi titullin
kampion në Rumani dhe tashmë do të luajë në fazën e grupeve të Champions
League, në edicionin 2011-2012.

24-vjeçari është bashkuar me skuadrën e Otelulit që po zhvillon fazën përgatitore në Poiana Brashov. Ai iu këshillua drejtuesve të klubit nga Arben Kokalari, ish-lojtar i kësaj skuadre në fillim të viteve ‘90, i cili po e shoqëron Prognin në këtë aventurë.

Progni do të zhvillojë disa ditë stërvitje nën urdhrat e trajnerit Dorinel Munteanu, ndërsa më pas stafi teknik do t’i komunikojë drejtuesve të Otelulit nëse duhet t’i ofrojnë kontratë apo jo.

Lojtari e ka nisur karrierën te Partizani, ndërsa në Shqipëri ka luajtur edhe me ngjyrat e Besës e Dinamos, përpara se të transferohej në Vlorë. Ai ka luajtur edhe 13 ndeshje me përfaqësueset U-19 dhe U-21 të Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA