Komuniteti serb i Zubin Potokut, i cili për disa ditë ka bllokuar rrugët për në veri të vendit, tani po kërkon ndarjen e Kosovës me vendosjen e pikës doganore nga Bërnjaku në fshatin Koshtovë të Mitrovicës.

Këtë ndarje të Kosovës serbët janë duke e promovuar me një peticion që do t’iu drejtohet organizmave ndërkombëtarë dhe vendorë si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.

Në anën tjetër mediat serbe kanë cituar udhëheqësin e protestuesve serbë Ratomir Bozhovic, se peticioni do të vazhdojë së nënshkruari dhe me të do të kërkohet që EULEX-i të jetë neutral dhe të mos arrestojë serbë të cilët nuk u paguajnë tatim institucioneve të Kosovës.

Bozhovic ka theksuar se peticioni do t’iu dorëzohet EULEX-it, KFOR-it, UNMIK-ut, si dhe OEBS-së. Ky grup i serbëve ka filluar protestat fillimisht duke kërkuar lirimin nga paraburgimi i Jevro Pantelic, i cili është arrestuar nga policia ndërkombëtare si i dyshuar për evazion fiskal, pastrim të parave, si dhe kontrabandim të mallrave nga Serbia në Kosovë.

Por, qytetarët e thjeshtë të veriut të Mitrovicës thonë se nuk kanë njohuri për një peticion të tillë. Madje, ata shprehen kundër çdo nisme që do të çonte në ndarje, siç pretendojnë përfaqësuesit nacionalistë serbë.

Dragan Mitrovic, qytetar serb, teksa takon miqtë e tij shqiptarë në lagjen e boshnjakëve, thotë se çdo nismë për ndarje do të çonte në konflikte të thella ndëretnike dhe jo vetëm.

“Së pari unë nuk jam pro ndarjes. Ndihem i lirë të udhëtoj në Prishtinë e Ferizaj, ashtu sic shqiptarët vijnë në veri. Për mendimin tim, nga ndarja dikush do fitojë dhe tjetri do të humbë dhe për ketë arsye jam kundër. Nuk dua që dikush të humbë. Jeta këtu është normale, ashtu siç jetohet në Prishtinë. Nuk ka punë, nuk ka para, taksat janë të larta dhe gjithçka duhet paguar. Në ketë aspekt është shumë e rëndë”, tregon Mitrovic.

Ndërkohë, sa iu përket protestave dhe bllokimin e rrugëve në veri të cilat nisën pas arrestimit për kontrabandë të Jevro Pantelic, ky qytetar thotë:

“Ata që merren me kriminalitet duhet të jenë në burgje. Pajtohem, por jam kundër në rast se arrestohen qytetarët e thjeshtë te cilët nuk i kanë borxh askujt”.

Banorët e zonës akuzojnë politikanët dhe mediat që sipas tyre po nxisin konfliktet. Në të njëjtën kohë, dhjetëra qytetarë serbë shkojnë drejt qendrës së shërbimit civil në kuadër të qeverisë së Prishtinës, hapja e së cilës një vit më parë shkaktoi protesta dhe vdekjen e një qytetari boshnjak.

Njëra ndër ta është edhe Milena Bajraktarevic, e cila kishte ardhur për të aplikuar për letërnjoftim të Republikës së Kosovës. Ajo thotë se, nuk është e informuar për peticionin e nisur për ndarje të Mitrovicës, madje, shprehet kundër çdo iniciative të tillë.

“Së bashku kemi jetuar gjithmonë dhe mendoj që edhe tani duhet të vazhdojmë jetën së bashku”, shprehet Bajraktarevic.

Gjatë qëndrimit të trupës së Top Channel në këtë qendër në veri edhe shumë të rinj erdhën për të dorëzuar dokumentacionet e nevojshme që të marrin dokumente, për për dallim nga të mëshuarit, që hezitonin të flisnin para kamerës.

“Kam ardhur të nxjerr letërnjoftimin e Republikës se Kosovës”, deklaron Dragomir Dasic. “Ne jemi pensionistë dhe kemi ardhur për te nxjerrë letërnjoftimet e Kosovës për të marrë pensionet tona në euro, ashtu siç i kemi marr më parë”, thotë Ildarka Joksic.

“Edhe unë kam ardhur për të marrë dokumentet e udhëtimit. Jam i kënaqur me pritjen e punonjësve te kësaj zyre, janë shumë të sjellshëm”, shprehet Milo Joksic.

Sipas regjistrave të Ministrisë së Pushtetit Lokal, nga hapja e kësaj zyre një vit më parë e deri më tani, mbi një mijë qytetarët serbë janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës.

Top Channel