Seanca konstituive për përberjen e shtatë të Parlamentetit të Maqedonisë do të mbahet të shtunën.

Kështu kanë vendosur përfaqësuesit e partive parlamentare gjatë takimit koordinativ me kryetarin aktual të Parlamentit, Tajko Veljanovski.

Gjatë ditës së mërkurë, deputetët e rinj i kanë marrë edhe vërtetimet për mandatet e fituara nga përfaqësuesit e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

“Shpresoj se përbërja e re parlamentare do të kontribuojë që vendi të anëtarësohet në NATO, por edhe që Maqedonia të marrë datën për fillimin e negociatave me BE-në, sepse një gjë të tillë e meritojnë qytetarët”, ka deklaruar Veljanovski.

Deputetët shqiptarë premtojnë se edhe në mandatin e ardhshëm do të punojnë për avancimin e të drejtave kombëtare.

“Është moment shumë kritik ku të gjithë e harrojnë cështjen shqiptare. Janë preokupuar me maqedonizmin, me ecjen përpara të Maqedonisë dhe me krijimin e numrave të qeverisë së ardhëshme. Ne do të jemi aty, kush do të flasë për cështjen shqiptare do të flasë me ne”, ka deklaruar kryetari i PDSH-së, Menduh Thaci.

“Ne në mandatin e ardhshëm do të dalim me një pozicion i cili do të jetë në interes të atyre që i përfaqësojmë dhe këta janë shqiptarët”, ka deklaruar Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.

Në seancën e së shtunës pritet të zgjidhet edhe kryetari i ri i Parlamentit. Nga konstituimi i Kuvendit, në afat prej 10 ditësh, presidenti duhet t’i japë mandatin për formimin e qeverisë së re liderit të VMRO/DPMNE Nikolla Gruevski, si fitues i zgjedhjeve të 5 qershorit. Gruevski, në afat prej 20 ditësh duhet të paraqesë përbërjen dhe platformën e qeverisë së re.

Top Channel