Mes debatesh të ashpra dhe me një votim maratonë, parlamenti grek miratoi qeverinë e re të kryeministrit, Jorgos Papandreu.

Qeveria e re, e cila pritet t’i japë një shtysë më të fortë reformave në ekonominë vendase që ndodhet buzë greminës, mori mbështetjen e mbi 150 deputetëve nga 300 që ka në total legjislativi grek.

Gjithcka nisi të premten, kur kryeministri Papandreu njoftoi ndryshimet në kabinetin e tij, ku në sy ra ndryshimi në Ministrinë e Financave duke vënë në këtë post, Evangelos Venizelos.

Sfida e radhës, tashmë për kabinetin e ri të kryeministrit Papandreu është pas një jave, kur deputetëve do t’u kërkohet të miratojnë shkurtimet në buxhet, reformën fiskale dhe politika të privatizimit që synojnë të kursehen 28 miliard euro.

Kjo masë është kërkuar me ngulm nga ministrat e financës së eurozonës në mënyrë që Greqia të përfitojë këstin e radhës prej 12 miliard eurosh për të paguar borxhet e saj.

Votimi u krye nën masa të forta sigurie, pasi mijëra persona ishin mbledhur para parlamentit për të protestuar ndaj klasës politike greke dhe ndaj reformës financiare të ndërmarrë prej saj.

Top Channel