Kosovë, kuvendi seancë përkujtimore për Nekibe Kelmendin

20/06/2011 14:20

Kuvendi i Kosovës zhvilloi një seancë përkujtimore për nder të deputetes
se LDK, Nekibe Kelmendi, e cila u nda nga jeta një ditë më parë.

Deputetja 67-vjecare nderroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë. Gjatë seancës, kolegë të saj dhe zyrtarë të lartë të shtetit kosovar nderuan punën dhe sakrificën e gruas që dha gjithcka për Kosovën, edhe pas një goditjeje të rëndë sic ishte vrasja e të shoqit dhe dy djemve të saj në vitin 1999 nga forcat serbe.

Nekibe Kelmendi ishte deputete në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Kosovës, po ashtu ka qenë ministre e Drejtësisë në mandatin e kaluar qeverisës, ndërsa në Lidhjen Demokratike të Kosovës për vite me radhë ka ushtruar funksione të ndryshme. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka njoftuar se gjatë ditës do të bëhen edhe homazhe pranë trupit të deputetes Kelmendi, në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa shumë aktivitete u anulluan sot ne Prishtine, përfshi këtu edhe seancën e interpelancës për kryeministrin Thaci, e kërkuar nga lëvizja Vetëvendosje. Gjatë ditës një mbledhje komemorative u organizua edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. “Ne po e nderojmë sot gruan e fortë të Kosovës, Nekibe Kelmendin, gruan që këtij vendi ia dhuroi fëmijët e dashur të saj, në lulen e rinisë, bashkëshortin e saj, që këtij vendi ia dhuroi dijen dhe përkushtimin e saj, ia fali forcën e saj mbinjerëzore – u shpreh ndër të tjerash në fjalën e tij, kreu i LDK-se, Isa Mustafa.

Top Channel