Pasi ka hapur në parlament proceduren treditore për të siguruar votëbesimin për qeverinë që sapo ka riformatuar, kryeministri Jorgos Papandreu ka kërkuar në mesditën e së dielës, zhvillimin e një referendumi në muajin shtator për ndryshimet e mëdha rrënjësore në vend.

Vendi është në udhëkryq dhe nën një kujdestari të vecantë, ka thënë ai, prandaj kërkoj një konsensus kombëtar në zbatimin e pesë boshteve kryesore duke filluar me përballimin e borxhit dhe deficitit që na bëjnë të ndërvarur nga të tjerët. Por duhet të biem dakord që nuk mund të zgjidhim problemet tona, nëse dëbojm FMN dhe BE.

”Pasojat e një falimentimi të dhunshem, apo të daljes së vendit nga eurozona do të ishin katastrofale për familjet greke, për bankat dhe besueshmërinë e vendit tonë dhe do të na conin përsëri aty ku kemi qenë, me pak fjalë në një kujdestari tjetër apo një mekanizëm tjetër, por shoqëria do të paguante një cmim shumë të lartë”, tha Papandreu.

Gjithashtu ai ka kërkuar realizimin e ndryshimeve strukturore në shoqëri dhe ekonomi, ka sqaruar nevojën por edhe kushtet për një kredi të re, krijimin e një modeli të ri zhvillimi dhe tatimi, ka shpjeguar ndryshimet thelbësore që duhen bërë në kushtetutën e vendit.

Por të gjitha këto do të kenë vlerë, ka theksuar ai, nëse arrijmë një marrëveshje kombëtare sepse pamja e përcarjes dëmton imazhin e vendit.

Shumë analistë të huaj janë skeptikë nëse Greqia do të mund t’i shpëtojë falimentimit. Athina zyrtare mendon se mund t’ia dalë, por më parë do t’i duhet të bindë opinionin publik për masat e ashpra financiare.

Gjithnjë e më shumë partnerët europianë kërkojnë zgjidhjen e problemit, sepse nëse Greqia dështon, pasojat në eurozonë do jenë të pallogaritshme.

Por opozita konservatore në Greqi nuk është e këtij mendimi.

“Nuk do t’u japim votën e besimit z. Papandreu për një arsye të thjeshtë, sepse qeveria juaj këmbëngul në një politikë që jo vetëm nuk zgjidh problemin, por e bën atë më të thellë dhe krijon probleme të tjera”, thotë kryetari i Demokracisë së Re, Andonis Samaras.

Kurse liderja e Partisë Komuniste, Aleka Papariga e ka quajtur Papandreun varrëmihësin e të drejtave të popullit grek.

Ndërkohë qytetarët e Lëvizjes së të Indinjuarve kanë bërë thirrje për një tubim masiv proteste në mbrëmjen e së dielës dhe sidomos të martën kur parlamenti do të votojë për votëbesimin e qeverisë së re.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta