Në një prej mbledhjeve më dramatike të grupit parlamentar të socialistëve grekë kryeminsitri Papandreu ka kërkuar mbështetjen e deputetëve për të vazhduar reformat ekonomike me anë të të cilave vendi do të dalë nga kriza.

Me një ton të qetë, autokritik dhe plotësisht konsensual, ai ka theksuar edhe njëherë se do të vazhdojë përpjekjen e tij me krijimin e një qeverie të re, më rezultative në detyrën e vet.

Më herët pas dorëheqjes së dy deputetëve të PASOK-ut, ishte krijuar përshtypja se grupi parlamentar i socialistëve po kalonte një nga krizat më të mëdha të besimit në personin e kryeministrit.

Shumë deputetë e kanë kritikuar ashpër atë se dështoi me zbatimin e Memorandumit të Dytë të ndihmës duke krijuar një armatë të papunësh prej 200 mijë vetash brenda një viti.

“Ndërsa vendi po ecën drejt rrugëve të rrezikshme dhe e ardhmja e fëmijëve tanë është e zezë, udhëheqja politike po vazhdon një ecuri të bazuar në papërgjegjshmëri dhe në laicizëm”, thotë Hektoras Nasiokas, deputet që dha dorëheqjen.
 
Duke dashur të japë një mesazh optimizmi kryesocialisti grek ka theksuar se qëllimi kryesor i qeverisë së re që pritet të krijojë do të jetë reduktimi i borxhit dhe i deficitit, reformat që do e sjellin Greqinë përsëri në një vend të zhvilluar, pa u bërë viktimë e tregjeve financiare.

Nuk kemi të drejtë të braktisim fushën e betejës. Më mbështesni që edhe unë t’ju mbështes dhe të gjithë së bashku të shpëtojmë vendin, pa krijuar akoma më shumë destabilitet politik”, ka thënë Papandreu.

Por ashtu sic komentojnë edhe mediat opozitare kryeministri grek nuk i është referuar aspak masave të ashpra të Planit Afatmesëm, të cilat kanë krijuar një reagim të paparë dhe një zemërim tek qytetarët që vazhdojnë protestat e tyre para ndërtesës së parlamentit.

Fjalimi i Papandreut në grupin parlamentar është cilësuar si një provë votëbesimi për qeverinë e re që ai pritet të krijojë në orët e ardhshme.

Top Channel