Gjermania dëshiron të punojë në harmoni me BQE-në për të gjetur një
zgjidhje për krizën financiare në Greqi, që të parashikojë përfshirjen
vullnetare të kreditorëve privatë.

Deklarata është bërë nga kancelarja gjermane Angela Merkel, në një konferencë për shtyp në Berlin me presidentin francez Nicolas Sarkozy.

“Do të na pëlqente të kishim pjesëmarrjen e kreditorëve privatë. Shpresojmë që këtë cështje ta zgjidhim në bashkëpunim me BQE-në, pa krijuar asnjë mosmarrëveshje”, ka deklaruar Merkel.

Ndërkohë, komisioneri evropian për Cështjet Financiare, Olli Rehn ka bërë të ditur se për shpëtimin e Greqisë do të ketë një ndërhyrje në dy kohë të ndryshme.

“Të dielën e ardhshme duhet të japim dritën jeshile për këstin prej 12 miliardësh, ndërsa më 11 korrik të vendosim mbi pjesëmarrjen e privatëve në ndërhyrjen e dytë të ndihmave”, ka deklaruar Rehn.

Duke folur para përfaqësuesve të 27 vendeve anëtare, Rehn ka sqaruar se, me këtë ndërhyrje do të shmanget skenari i “default”-it për Greqinë dhe do t’i hapet rrugë një marrëveshjeje strategjike afatgjatë.

Top Channel