Analisti, Mentor Nazarko, njohës i politikës kosovare deklaroi në panelin e Top Show në Top Channel, se Shqipëria nuk ka mbajtur pozicionin e duhur ndaj shtetit të Kosovës përballë bllokadës ekonomike dhe sulmeve politike të Serbisë.

Zoti Nazarko tha autoritetet shqiptare nuk reaguan në nivelin e duhur pas hedhjes së tezës së ndarjes së Kosovës nga presidenti serb, Boris Tadic.

“Nuk ka patur një reagim të duhur nga Shqipëria përsa i përket tezës së hedhur nga Tadic për ndarjen e Kosovës. Duhej të reagonte presidenti dhe kryeministri. Përsa i përket bllokadës ekononomike që Beogradi i ka vendosur mallrave kosovare, Shqipëria sërish duhet të ndërhyjë duke marrë rolin e saj dhe të orientojë ekonominë e Kosovës drejt Shqipërisë dhe perëndimit”, tha Nazarko.

Ndërkohë, përfaqësuesi i lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, tha se Beogradi po zhvillon një politikë me radikale ndaj Prishtinës. Deklaratat e qarqeve serbe, sipas zotit Ahmeti për ndarjen e Kosovës dhe tezat e tjera të hedhura bashkë me të, bëhen për të bllokuar njohjet. Ahmeti tha se është kundër negociatave me Serbinë.

Top Channel