Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Filip Gordon deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin krijimin e task forcës së EULEX-it për hetimin e pohimeve të parlamentarit europian Dick Marty.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ai kërkoi që hetimet të bëhen nga profesionistë, në mënyrë që e vërteta të zbardhet, ndërsa theksoi se roli i Amerikës në këtë task force ende nuk është përcaktuar.

“Ne kemi qenë të qartë se e kemi marrë këtë akuzë seriozisht. Akuza të tilla meritojnë të hetohen dhe ne i mbështesim plotësisht. Roli i SHBA-ve nuk është përcaktuar ende, por ne jemi të angazhuar në bisedime me BE-në për mënyrën se si ne mund të ndihmojmë. Ne mendojmë se EULEX-i është i vendosur për të kryer hetime dhe ne duam të shohim që këto deklarata të hetohen plotësisht. Krimet e luftës kudo janë çështje serioze dhe pa marrë parasysh se kush janë viktimat drejtësia duhet të vihet ne vend. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim fuqimisht dhe i kemi inkurajuar të gjitha vendet e rajonit që të bashkëpunojnë”, është shprehur Gordon.

Në mbështetje të hetimeve të EULEX-it është edhe kryeministri Hashim Thaçi i cili në në këtë rast përmendet si i dyshuari kryesor për trafikim organesh gjatë kohës së luftës dhe krim të organizuar.

Zoti Gordon dhe zoti Thaçi i bënë këto komente pas një takimi që zgjati afër dy orë, pjesë e të cilit ishin edhe kryenegociatorja në dialogun ndërshtetëror Kosovë serbi Edita Tahiri dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar. Me këtë rast Gordon shfaqi edhe njëherë mbështetjen për zgjidhjen e çështjeve teknike siç ha ai dhe në asnjë mënyrë prekjen e kufijve të Kosovës. Madje Gordon e quajti riskicimin e kufijve një katastrofë.

“Çdo vend në Ballkan, në të vërtetë në çdo vend të botës jetojnë grupe të ndryshme etnike dhe në shumicën e demokracive në kemi gjetur mënyrë për realizimin e interesave pa riskicim të kufijve dhe që të jem i qartë, ridizajnimi i kufijve në Ballkan përreth çdo grupi etnik do të ishte një katastrofë. Kjo nuk është diçka që ne e përkrahim. Ekzistojnë mënyra të tjera për rregullimin e qytetarëve në Kosovën demokratike”, tha Gordon.

Krahas porosive që solli në Prishtinë, përfaqësuesi i shtetit amerikan nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me qeverinë e Kosovës në vlerë 9 milionë e 700 mijë euro.

Këto të holla do të shkojnë për investime në fushën e arsimit në Kosovë. Para takimit me kryeministrin Thaçi, zoti Gordon takoi edhe presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Top Channel