Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ka deklaruar sot se njohja e Kosovës nuk është një parakusht për integrimin evropian të Serbisë.

Megjithatë, Tadic nuk e ka përjashtuar mundësinë që disa vende të Bashkimit Evropian t’i kërkojnë Serbisë zgjidhjen e kësaj cështjeje para anëtarësimit.

“Kosova nuk është parakusht për integrimin evropian të Serbisë, por nuk duhen krijuar iluzione se kjo cështje nuk do të jetë problem për anëtarësimin në BE”, ka pohuar Tadic.

Duke folur për dialogun me Prishtinën, presidenti serb ka nënvizuar se Beogradi po tregohet shumë konstruktiv në këtë proces.

“Ne dëshirojmë të zgjidhim konfliktin dhe të gjejmë një zgjidhje teknike për problemet e qytetarëve në Kosovë, pa marrë parasysh kombësinë”, ka deklaruar Tadic.

Presidenti serb ka shtuar se vendi i tij është i angazhuar për zgjidhjen e cështjes së transporteve dhe të pjesëmarrjes së shqiptarëve në forumet rajonale.

Top Channel