Kryeministri grek Jorgo Papandreu ka propozuar një qeveri uniteti në përpjekje për të fituar mbështetje për masat anti-krizë, të kërkuara nga BE dhe FMN.

Lajmin e bën të ditur televizioni publik grek, sipas të cilit Papandreu është shprehur i gatshëm të tërhiqet dhe të negociojë me liderin e opozitës Antonis Samaras.

Programi prej 28 bilionë eurosh i Papandreut parashikon një seri shkurtimesh gjatë periudhës 2012-2015.

Por kryeministri po përballet me rrezikun e një revolte brenda partisë së tij, Pasok, për shkak të paketës së masave kundër krizës financiare.

Ditën e martë, një deputet u shkëput nga partia socialiste, duke e lënë atë vetëm me 155 anëtarë nga 300 që ka gjithësej Parlamenti.

Ndërsa një tjetër deputet i Pasok ka kërcënuar se do të votojë kundër programit të ri të shkurtimeve dhe privatizimeve të aseteve të shtetit, ndërkohë që disa të tjerë janë në dyshim.

Së fundmi, Pasok ka pësuar edhe një rënie dramatike të popullaritetit të saj, duke humbur në 30 ditë 5 për qind të forcës së saj elektorale.

Nga ana tjetër, BE dhe FMN po kërkojnë reforma në mënyrë që të japin dritën jeshile për ndihmën tjetër prej 12 bilionë eurosh, e parashikuar në muajt e ardhshëm.

Ditën e sotme, policia greke u përlesh me protestuesit jashtë selisë së Parlamentit në Athinë, para se të zhvilloheshin debatet mbi cështjen në fjalë.

Top Channel