Ambasadori britanik në Beograd, Ian Cliff ka deklaruar se ideja e ndarjes së Kosovës është një ide e keqe, pasi do të shkaktonte efekte anësore në të gjithë Ballkanin.

Nga ana tjetër, ai ka theksuar se Kosova nuk është më pjesë e Serbisë, por as e Shqipërisë dhe për rrjedhojë duhet të ecë përpara me kufijtë aktualë.

“Idetë për ndarjen janë një tentativë për krijimin e shteteve njëetnike në Ballkan, por sido që të rishkruhen kufijtë, një minoritet do të mbetet patjetër në një vend të caktuar. Për më tepër, një ide e tillë mund të krijojë probleme të shumta në Bosnje, Maqedoni dhe vende të tjera”, ka deklaruar Cliff.

Diplomati britanik ka siguruar se, jo vetëm vendi i tij, por edhe vendet e tjera të BE-së nuk e përkrahin këtë opsion dhe ka theksuar se ky qëndrim i duhet bërë i qartë Beogradit.

Sa për veriun e Kosovës, Cliff ka shtuar se për zgjidhjen e situatës në këtë zonë duhet angazhim i përbashkët, pasi të huajt nuk mund ta zgjidhin vetëm këtë problem.

Top Channel