Partia Socialiste festoi 20-vjetorin e saj, në një ceremoni ku kanë qenë
përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, deputetë, aleatë dhe drejtues
historik të PS-së, si zoti Mediani, Brokaj e Pëllumbi.
Sic ishte paralajmëruar mungonin dy ish-kryeministrat Fatos Nano dhe Ilir Meta.
Kryetari i opozites deklaroi se PS ka qene gjithmone ne krahun e duhur ne nje koalicion te gjere me qytetaret per t’u perballur me sfidat e se tashmes.
Sipas Ramës janë shumë ato fjalë të mira për PS-në, që nuk mund të harrohen pa përmendur në një përvjetor të tillë.
“Unë sot do të rendis tre prej tyre. Ne jemi parti që bëjmë gjithnjë gjënë e duhur për interesin kombëtar, ne jemi parti që i respektojmë të gjithë shqiptarët si qytetarë të barabartë në liritë dhe të drejtat e tyre. Ne jemi një parti që jeton duke u munduar të ndryshojë për mirë, që të ndryshojë për mirë Shqipërinë.Mirënjohje e respekt për të gjitha ata burra e gra që kanë kontribuar që PS t’i meritojë në cdo ditë fjalët e mira”, tha Rama.
Për Ramën është pikërisht liria me të cilën është rritur Partia Socialiste e që i jep edhe më shumë forcë asaj për t’u përballur me sfidat e reja dhe të forta politike të Shqipërisë së sotme.
“Pikërisht përmasa e lirisë me të cilën jeton cdo anëtar i kësaj familjeje të madhe e bën të madhe edhe forcën tonë për të rezistuar sot si opozitë ndaj cdo sulmi që i bëhet lirisë të cdo qytetari dhe për të ofruar nesër një qeverisje të mirë, të bazuar te fuqia transformuese e lirisë”, tha Rama.
Kreu socialist uroi të gjithë anëtarët, mbështetësit dhe votuesit e thjeshtë të Partisë Socialiste, që sipas Ramës përbëjnë forcën e pashtershme të saj.
Top Channel