Kosovë, polemika për cështjen “Vokshi”

13/06/2011 20:20

Kritika të shumta vazhdojnë të vijnë në lidhje me vendimin e Inspektoriatit Policor, i cili shpalli fajtor policin Bujar Shala për incidentin e tij në kufi me deputeten shqiptare Albana Vokshi.

Ky rast u kthye sërish në temë diskutimi pasi drejtori i Policisë së Kosovës shqiptoi masën disiplionore, pezullim pa pagesë për dy muaj për policin Bujar Shala dhe dy kolegët e tij.

Në vendimin e Inspektoriatit Policor, të siguruar nga Top Channel, polici Bujar Shala konsiderohet si i akuzuar ndërsa shpallet fajtor, për shkak se, sic thuhet në vendim:

“Ai dështoi në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të caktuara, të cilat kanë shkaktuar efekte negative në reputacionin e policisë dhe në efikasitetin e kryerjes së detyrave zyrtare”.

Por një vlerësim krejtësisht të kundërt jep Këshilli për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Prishtinë.

“Ai u ndëshkua padrejtësisht për një punë që është i detyruar të bëjë. Nuk ka pse të mos i nënshtrohen kontrolleve edhe deputetët”, deklaron Behgjet Shala, drejtues i KMDLNJ.

Inspektoriati Policor i Kosovës është një organ i pavarur, i cili mbikëqyr punën e policisë. Por fakti që lënda e deputetetes Albana Vokshi akoma nuk është mbyllur, madje gjykata atë fillimisht e dënoi me 250 euro gjobë, sipas avokatit Tomë Gashi e bën të pakuptimtë vendimin e Inspektoriatit Policor.

“Deri në vendimin përfundimtar nga gjykata, gjoba është kundër Albana Vokshit dhe jo policisë. Policia duhej shpërblyer, por cështja është politizuar. Policët po bëhen viktima të detyrës së tyre”, deklaron Gashi.

Ndërsa Inspektoriati Policor e ka shpallur fajtor policin Bujar Shala, cështja kundër deputetes Vokshi, e iniciuar nga vetë polici, ende nuk është mbyllur.

Gjykata e Lartë për Kundërvajtje në Prishtinë kohë më parë e ktheu cështjen për rishqyrtim. Kjo do të thotë se policët kosovarë dhe deputetja Vokshi mund të ritakohen në Gjykatën për Kundërvajtje në Prizren.

Burimet policore theksojnë se një vendim gjykate konsiderohet i domosdoshëm për faktin se periudha e pezullimit përfundon pas dy muajsh dhe policisë i duhet një vendim gjykate për të vendosur lidhur me fatin e policëve të suspenduar.

Top Channel