Shefi i Institutit Amerikan për Paqen, Daniel Server është shprehur
kundër ideve për Shqipërinë e Madhe dhe për ndarjen e Kosovës.

Në një intervistë për RTK, Server ka deklaruar se në të kaluarën ndarjet e kufijve kanë sjellë histori luftrash, të cilat sipas tij nuk duhet të përsëriten.

“Nuk jam i sigurt nesë do të kishte luftë, por mund të them që historia e ndarjeve të tilla etno-territoriale është histori luftërash. Disa njerëz më thonë se evropianët kanë krijuar shtetet e tyre kombëtare; francezët janë francezë, italianët italianë. Është e vërtetë që i kanë krijuar shtetet e tyre, por vetëm pas shumë luftërash”, ka pohuar Server.

Sipas tij, ripërcaktimi i kufijve do të kishte efekte anësore në të gjithë rajonin, pasi jo të gjithë do të binin dakord me hartën e re.

“Tani jemi në shekullin e 21-të dhe ne mundohemi që të mos i bëjmë gjërat përmes luftërave. Por kur fillon të vizatosh vija të reja në hartë, është shumë e vështirë që cdokush të pajtohet me to. Më mirë të mbahen vijat aty ku janë dhe të ndryshohet statusi i disa kufijve, sic edhe është bërë në rastin e Kosovës”, ka shtuar analisti.

Top Channel