Shefi i delegacionit serb në dialogun Prishtinë-Beograd, Borko Stefanoviç për herë të parë ka pranuar se qytetarët e Kosovës, do të mund të udhëtojnë drejtë Serbisë me pasaporta të Republikës së Kosovës.

Stefanoviç gjatë një interviste për një radio kosovare thekson se marrëveshjet e ardhshme, do të jenë shumë të dobishme për të dyja vendet, pa paragjykuar statusin.

“Mund t’ju them se janë shumë gjëra të mira nga të cilat do të përfitojnë të gjithë që jetojnë në Kosovë dhe përfundimisht njerëzit do të mund të udhëtojnë lirshëm dhe do të mund të shfrytëzojnë të drejtat e tyre dhe dokumentet pa paragjykime lidhur me statusin e Kosovës”, ka thënë Stefanoviç.

I pyetur se a munden kosovarët të udhëtojnë në Serbi me pasaportë të Republikës së Kosovës Stefanoviç ka thënë se do të ketë mënyra që do të mund realizohet kjo.

“Në çdo kohë pa asnjë problem dhe më besoni që do të jeni të kënaqur nga marrëveshja që do ta arrijmë për këtë temë”, ka thënë Stefanoviç.

Ai ka mohuar deklaratat e Edita Tahirit se Serbia, po frikësohet nga dialogu.

“Por dua të ju siguroj juve se nuk po tentojmë që ta shtyjmë këtë proçes apo që frikësohemi. Nuk ka qenë propozimi ynë, por i të gjithë neve që të kemi takim në fund të qershorit, jam i sigurt për rezultate shumë më të mira. E dini mirë se këto çështje janë tejet komplekse dhe më besoni që nuk ka asgjë që ne duhemi të frikësohemi, sepse çdo zgjidhje që do ta arrijmë do u ndihmojë njerëzve që jetojnë në Kosovë dhe Metohi”, theksoi Stefanoviç.

Top Channel