Komisioni Europian, siç pritej, mbylli sot negociatat e anëtarësimit me Kroacinë.

“Kjo do të thotë se përsa i takon Komisionit, puna u krye. Tani i takon vendeve anëtare që të bëjnë vlerësimin përfundimtar të negociatave dhe të vendosin se kur bisedimet do të mbyllen zyrtarisht dhe se kur do të firmoset traktati i anëtarësimit”, theksoi Fyle.

Nëse Këshilli i BE-së merr parasysh propozimin e Komisionit, Kroacia bëhet anëtari i 28-të i Unionit me 1 korrik 2013.

“Mezi pres t’ju përshendes si vendin e 28-të anëtar të BE-së”, është shprehur Fyle.

Kroacia fitoi statusin kandidat në qershor 2003. Pasi provoi se përmbushte kriteret e Kopenhagenit, në 20 tetor 2005, nisën zyrtarisht bisedimet për anëtarësim. Në plot 6 vjet, Zagrebi e Brukseli kanë negociar pothuajse gjithçka.

Në tërësi janë 35 kapituj për negociata që synojnë përshtatjen e praktikave të përbashkëta për lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit, krahut të punës, mbi prokurimin publik, politikat e konkurrencës, transportit, energjisë, ato mbi kompanitë, mbi mediat, bujqësinë, ushqimin, peshkimin, mjedisin, politikat sociale dhe punësimin, shërbimet financiare, taksat, doganat, statistikat, parashikimet buxhetore e financiare, gjyqësori dhe të drejtat e njeriut, sistemi i drejtësisë dhe politikat e sigurisë, kontrolli financiar, mbrojtja e konsumatorit, edukimi, kërkimet shkencore, politika e jashtme dhe ajo e mbrojtjes, vendimarrja në institucione dhe çështje të tjera.

“Për secilin nga këto kapituj, Kroacisë iu desh të përmbushte kritere të qarta për hapjen dhe mbylljen e negociatave”, deklaroi Fyle.

Sipas komisionerit, ky vit do të ishte i rëndësishëm për Ballkanin, pasi do të shohim jo vetëm status kandidat, por dhe çelje negociatash, siç u shpreh ai. Në 12 tetor, pritet që Komisioni t’i propozojë Këshillit të BE-së dhënien e statusit kandidat ndaj Serbisë.

Megjithë arrestimin e të shumërkuarit për krime lufte Ratko Mlladiç, ende nuk është e qartë nëse këtij propozimi të Komisionit do t’i bashkangjitej dhe ai për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Beogradit në BE. Bisedimet me Maqedoninë mbahen peng nga mosmarrveshja mbi emrin me Greqinë. Mali i Zi duhet të përmbushë 7 prioritetet kyçe në mënyrë që Komisioni të rekomandojë çeljen e negociatave, ndërsa Shqipëria, Bosnia dhe Kosova pritet të përballen veç me vlerësimin vjetor të Komisionit në vjeshtë.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel