
Qeveria zbardh ecurinë e punës së kryer me buxhetin gjatë vitit 2010, duke miratuar në mbledhjen e djeshme tabelat finale faktike të të ardhurave dhe shpenzimeve.
Faktet tregojnë, sipas “Shqip”, se administrata publike ka dështuar në të gjitha drejtimet, pasi nuk ka mundur të realizojë as planin e korrigjuar në korrik, kur Financat pranuan se vendi ishte në krizë dhe se doganat e tatimet e kishin të vështirë të realizonin objektivistin e fillimvitit, që ishte 361 miliardë lekë.
Plani i ri i të ardhurave në buxhet u vendos të ishte rreth 334 miliardë lekë, pra rreth 27 miliardë lekë më pak, duke u dhënë mundësi tatimeve dhe doganave të dilnin faqebardhë në fund të vitit.
Por të dhënat përfundimtare, të certifikuara nga Ministria e Financave, tregojnë se as me planin e ri administrata nuk mundi të realizonte objektin, duke krijuar në arkën e shtetit një deficit rreth 60 miliardë lekë, ose gati 700 milionë dollarë.
Në fund të vitit u mësua qartësisht se ishin krijuar të ardhura gjithsej rreth 273 miliardë lekë, ose 18 për qind më pak se objektivi.
Nëse e krahasojmë me buxhetin fillestar, diferenca arrin deri në 1 miliard dollarë, rekord negativ.
Pavarësisht rritjes së disa taksave, këto rezultate erdhën si pasojë e krizës së bizneseve në vend dhe pasigurisë së konsumatorëve.
Nga ana tjetër, qeveria ndërmori shkurtime drastike te shpenzimet, me rreth 40 miliardë lekë, duke goditur kryesisht investimet dhe më konkretisht bizneset e sektorit të ndërtimit.
Ashtu si me të ardhurat, shpenzimet nuk mundën të realizoheshin sipas objektivit.
Te tabelat përfundimtare del se shpenzimet ishin 110 miliardë lekë më pak se buxheti fillestar, ose mbi 1.1 miliardë dollarë, kurse me planin e rishikuar në korrik rezultonin rreth 70 miliardë lekë më mangët.
Top Channel