Në kohën kur pritej nënshkrimi i një marrëveshjeje ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, tërhiqet Serbia!

Në një intervistë për TCH, kryenegociatorja kosovare Edita Tahiri thotë se, takimi i radhës i cili parashikohej në mes të këtij muaji në Bruksel, është anuluar me kërkesë të Serbisë.

Ajo shprehet se pala serbe duket se po i frikësohet nënshkrimit të një marrëveshjeje në të cilën përfshihen çështja e lëvizjes së lirë, tregtisë së lirë, çështja e energjisë, telekomunikacionit, çështjet për kthimin e dokumenteve kadastrale, regjistrave civilë, njohja reciproke e diplomave, problemi i personave të pagjetur, si dhe dëmet e luftës ndaj trashëgimisë kulturore të Kosovës.

“Edhe pse gjithë dinamikat ishin për t’u arritur marrëveshja dhe ne dhamë pëlqimin në parim, pala serbe nuk ishte e gatshme, përkundrazi kishte shumë ndërrime qëndrimesh që zgjasin procesin. Sa i afrohemi marrëveshjes, ata tërhiqen pas”, deklaron Tahiri.

Kryenegocitorja kosovare duket se nuk e ka ndërmend t’ia dorëzojë platformën e bisedimeve Kuvendit apo Presidencës.

Zonja Tahiri thotë se, për çdo detaj të bisedimeve ajo, por edhe kryeministri Thaçi, informon Parlamentin dhe Presidencën.

“Bashkëpunimi ynë si qeveri me Kuvendin bëhet në kuadër të respektimit të kërkesave të rezolutës së Kuvendit dhe në të njëjtën mënyrë bëhet në raport me presidenten. Vendimmarrjet koordinohen mes kryeministrit dhe presidentes. Në Parlament ne raportojmë”, sqaron Tahiri.

Tahiri këmbëngul se në asnjë rrethanë dhe me asnjë kusht pala kosovare do të pranojë që në bisedime të diskutohet çështja e statusit, apo çështja e veriut të vendit.

“Asnjëherë, në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast. Dialogu është teknik dhe Serbia e di këtë. Statusi është kapitull i mbyllur”, thekson Tahiri.

Bisedimet teknike ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe kishin nisur tre muaj më parë. Këto bisedime po bëhen nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.

Top Channel