Ruçi: 8 Maji, fitorja më e madhe e PS

09/06/2011 21:35

Kryetari i Asamblesë së Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, është shprehur se zgjedhjet lokale të 8 Majit ishin fitorja më e madhe e PS në 20 vite.

“Ka pasur një pjesëmarrje të lartë në këto zgjedhje administrative. Sjellja e popullit në këtë fushatë dhe ditën e votimeve ishte e admirueshme. Vlerësoj edhe interesimin e faktorit ndërkombëtar për këtë proces. Në asnjë rast në 20 vitet e fundit publiku nuk ka parë ndërkombëtarët kaq aktivë të cilët luajtën edhe rolin e vëzhguesit. Në planin e rezultatit, në zgjedhjet lokale kjo ishte fitorja më e madhe e PS në këto 20 vjet”, u shpreh Ruçi në emisionin Top Story në Top Channel.

“Qytetet shqiptare do të qeverisen nga socialistët në 4 vitet e ardhshme. Partia Socialiste ka 101 mijë vota më shumë se sa Partia Demokratike, këto janë shifra dhe fakte”, shtoi kryetari i Asamblesë së Partisë Socialiste.

Përsa i përket LSI-së, Ruçi deklaroi: “PD i la një hapësirë elektorale shumë të madhe LSI-së si pjesë e koalicionit. Nuk është meritë e LSI-së pesha e saj në jetën politike, por e hapësirës që i la PD-ja.”

Top Channel