Ambasadori i Bashkimit Europian në Maqedoni, Piter Sorensen ka zhvilluar takime kokë më kokë me liderët e dy partive shqiptare në Maqedoni, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi me të cilët ka biseduar për zgjedhjet e 5 qershorit dhe prioritetet e Maqedonisë pas përfundimit të proçesit zgjedhor.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i ka thënë diplomatit europian se prioritet i qeverisë së re duhet të jetë anëtarësimi i vendit në strukturat euro-atlantike, zgjidhja e çështjes së emrit, zhvillimi ekonomik që do të ndikojë në zvogëlimin e papunësisë dhe rritjen e standardit të qytetarëve të vendit.

Ahmeti ka theksuar se partia e tij do të angazhohet edhe në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, si një dokument shumë i rëndësishëm për ardhmërinë e Maqedonisë.

Në takimin me kreun e Partisë Demokratike Shqiptare Manduh Thaçi, është  interesuar për veprimin politik të kësaj partie në të ardhmen.

Kryetari i PDSH-së, ka shprehur vullnet për të dhënë kontribut në zhbllokimin sa më të shpejt të proçeseve integruese si dhe ka kërkuar dialog serioz për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura dhe problemeve të pazgjidhura në vend.

Ndërkohë, në dy ditët e fundit, pas humbjes që kanë pësuar në zgjedhje, disa nga liderët e partive më të vogla opozitare të shqiptarëve kanë dhënë dorëheqje.

Drejtimin e partisë e ka lënë edhe kreu i Demokracisë së Re, Imer Selmani.

Top Channel