PS: KQZ po mbulon zërin e qytetarëve

08/06/2011 18:00

Partia Socialiste, në një reagim vetëm pak momente pas zbardhjes së vendimit të Kolegjit Zgjedhor, ka riformuluar akuzat për manipulimin e zgjedhjeve nga qeveria Berisha.

Në një deklaratë për mediat, deputeti Eduard Shalsi ka deklaruar se, Berisha përdori vota shtesë me qëllim që të fitonte pinjolli i tij.

“Banda e Saliut në KQZ nuk mund të flasë me zërin e qytetarëve. Qytetarët folën, votat e tyre u numëruan, ndërsa votat që nxorri nga xhepi KQZ-ja e Saliut për të grabitur fitoren nuk është zëri i qytetarëve, por i Saliut”, ka pohuar Shalsi.

“Mjaft më me këtë lojë të shëmtuar. Luli le t’i marrë ato vota mbrapsht dhe le t’ia kthejë babait të tij politik”, ka vijuar ai.

Përsa i përket akuzave të Bashës ndaj Ramës për presione ndaj Kolegjit Zgjedhor, Shalsi është përgjigjur duke kujtuar “bëmat” e Bashës gjatë kohës që ishte ministër.

“Le t’i vijë turp, sepse kanakari i familjes Berisha është i fundit që duhet të flasë. Nuk ka shqiptarë që të ketë harruar se kush i vrau 4 shqiptarë më 21 janar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit””, ka shtuar Shalsi.

Top Channel