Liberalizohet shërbimi 3G

08/06/2011 21:00

Qeveria ka hapur procedurat për shitjen e licensës së dytë 3G tek kompanitë e telefonisë celulare.

Aktualisht në këtë treg, një nga më të zhvilluarit dhe më fitimprurësit në Shqipëri, të drejtën e këtij shërbimi e ka vetëm një kompani, e cila e bleu një vit më parë me një cmim prej rreth 30 milionë euro.

Sipas kryeministrit Berisha, i cili bëri të njohur lajmin e licensës së dytë 3G, futja e saj në treg do të rrisë garën dhe konkurrencën e ndershme, duke ndikuar pozitivisht në uljen e cmimeve, rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe shfrytëzimin e të gjitha potencialeve që ofron navigimi në internet.

Kryeministri Berisha tha se, pret nga kompanitë celulare një qëndrim të ri për tarifat e sms-ve, pasi ka ende hapësirë për uljen e cmimit të tyre.

Kryeministri tha se Enti Rregullator ka bërë një studim dhe në përputhje me ligjin do të propozojë një ndërhyrje në këtë aspekt, por ai ftoi kompanitë celulare të rishqyrtojnë vetë tarifat e sms-ve.

Sidoqoftë, kryeministri Berisha tha se licensa e re 3G është një lajm i mirë për qytetarët dhe shërbimet që ata do të marrin në këtë treg që ofron komunikim të pakufizuar.

Top Channel