Serbët e Kosovës do të gëzojnë shërbimin e një operatori virtual celular, në bazë të një marrëveshje që mund të arrijnë në bisedime dy qeveritë, ajo e Prishtinës dhe e Beogradit.

Top Channel mëson se shërbimi do të ofrohet nga Postë-Telekomi i Kosovës, dhe prefiksi do të jetë ai i Serbisë.

Sipas burimeve, marrëveshja do të nënshkruhet shumë shpejt dhe është përzgjedhur edhe kompania që do të kryejë shërbimet telefonike. Ajo është kompani kosovare me pronar shqiptar që do t’i paguajë tatimet shtetit të Kosovës dhe do të ofrojë shërbime telefonike me cmime të volitshme qytetarëve serbë.

Por për shkak se kjo ide rrjedh nga një marrëveshje me Beogradin, operatori virtual do të përdorë prefiksin e Serbisë, 00381 ose atë të Kroacisë, 00385.

Zyrtarisht në qeveri nuk flasin për këtë cështje, ndërkohë që aktiviteti i operatorëve ilegalë që u ofrojnë shërbimet e tyre kryesisht serbëve, prej kohësh ndikon në vlerën e PTK-së.

Top Channel