Qeveria e Kosovës ka ndasi të thella me EULEX-in për mënyrën se si duhet të zgjidhet situata kaotike në Veriun e vendit, ku serbët kanë krijuar struktura paralele të pushtetit.

Këtë e ka deklaruar Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, që është shprehur sërish në favor të dërgimit të njësive speciale në veri për të detyruar serbët të zbatojnë ligjin dhe të njohin pushtetin e Prishtinës.

“Faktori ndërkombëtar është më i kujdesshëm, përdor forma më të ngadalta edhe tek bindjet politike dhe në vendosje të rendit dhe të ligjit, kemi dallim dhe unë them se cdo ditë është e përshtatshme vendosja e sundimit të rendit dhe ligjit. Kam thënë dhe prap i qendroj se në rast nevoje njësitë speciale janë të përgatitura dhe të specializuara për veprime të caktuara, por pjesën veriore e koordinojmë me KFOR-in dhe EULEX-in”, tha ministri Rexhepi.

Edhe në të kaluarën, Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi ka kritikuar EULEX-in për Veriun dhe ka shprehur gatishmërinë e policisë së Kosovës dhe të forcave speciale të saj për të vendosur rendin dhe ligjin në veri.

Top Channel