Countryman: KQZ, dyshime për bazën ligjore

07/06/2011 17:00

Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësimin për situaten pas-zgjedhore në Shqipëri. Zv/ndihmës sekretari i Shtetit për Euroazinë, Thomas Countryman, duke folur para gazetarëve në Uashington, vlerësoi dinjitetin e popuillit shqiptar në 8 maj.

Me përjashtim të Tiranës, tha zyrtari amerikan, procesi shkoi shumë mirë, duke kujtuar vërejtjet për vendimin e KQZ për numërimin e votave në kutitë e gabuara.

“Ne kemi shprehur dyshimet tona për bazën ligjore të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të numëruar një kategori të caktuar fletësh votimi. Çështjet lidhur me to i janë parashtruar Kolegjit Zgjedhor. Por tashmë, për ne është esenciale që të gjitha partitë të sillen me të njëjtin dinjitet që tregoi populli shqiptar, të ruajnë qetësinë, të respektojnë ligjin dhe të mos nxisin dhunën. Ne rezervohemi të shprehemi për rezultatin, deri sa të dëgjojmë se çfarë do të thotë Kolegji Zgjedhor”, ka deklaruar Countryman.

Sa i takon mundësisë së paraqitjes së cështjes në Komisionin e Venecias, Countryman tha se nuk ka asgjë të keqe për t’iu drejtuar atij, sic ka ndodhur dhe me vende të tjera, por ky është një vendim që u takon palëve në Shqipëri.

Në një vlerësim të zhvillimeve politike në Shqipëri, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2009, zv/ndihmës sekretari amerikan foli me tone kritike ndaj klasës politike.

“Ne nuk kemi parë mjaft udhëheqës politikë që të kenë vullnetin për të vënë interesat kombëtare të Shqipërisë para interesave të partive të caktuara. Zakonisht udhëheqësit politikë janë të bindur se fitorja e partisë së tyre është e njejtë me interesin kombëtar. Por kjo nuk është kështu për gjithë të tjerët. Në interesin e Shqipërisë sot është që t’u demonstrohet, veçanërisht vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, se Shqipëria mund të funksionojë si të gjitha demokracitë e tjera që kërkojnë të hynë në Bashkimin Evropian”, ka nënvizuar Countryman.

“Dhe në dy vitet e fundit, Shqipëria nuk e ka plotësuar atë kriter. Ajo që më tremb sot është se ajo që duhet të jetë një demonstrim shumë pozitiv për Evropën, Brukselin dhe për gjithë vendet anëtare për pjekurinë politike të Shqipërisë, nga një sinjal pozitiv mund të kthehet në një sinjal negativ, nëse nuk bëhen përpjekje reale nga partitë politike për ta trajtuar këtë çështje qetësisht dhe në formë kushtetuese”, ka vijuar ai.

Thomas Countryman vlerëson ecurinë e Shqipërisë si ekonomi, apo përpjekjet për reforma, por është politika që dëmton imazhin në Bruksel apo gjetkë. Për të ndryshuar këtë imazh, Countryman sugjeron: “jo me fushata të marrëdhënieve publike, por zgjidhje të arsyeshme dhe komunikim me respekt”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA