Papa Benedikti XVI, me të mbërritur në Zagreb, ka dhënë edhe mesazhin e
parë për Evropën, duke e vënë theksin tek identiteti dhe kultura e saj.

“Identiteti evropian e ka themelin tek pasuria e kulturave të tij të shumëllojshme dhe në këtë kuptim është misioni i gjithëkujt përforcimi ndaj racionalizmave abstraktë i dallueshmërisë së kulturave tona, që e kanë bazën tek vlerat e krishtera”, ka deklaruar Papa.

Në Zagreb, që është edhe vizita e parë në Ballkan, ati i shenjtë është pritur nga presidenti kroat Ivo Josipovic, ndërkohë që do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë.

Papa ka qenë një mbështetës i bashkimit të Kroacisë me BE-në, që do t’i shtonte një tjetër komb të përkushtuar katolik bllokut evropian.

Masat e sigurisë në kryeqytetin kroat me rastin e vizitës së Papa Benediktit kanë filluar të rriten ndjeshëm prej disa ditësh.

Qytetarëve u është thënë të mbyllin dritaret dhe të mos qëndrojnë në ballkonet e tyre në momentet kur do të kalojë ati i shenjtë. Ndërsa personat që kanë dalë në sheshet kryesore i janë nënshtruar kontrolleve të forcave të rendit.

Top Channel