Njëri kreu i krahut të armatosur, ndërsa tjetri truri politik i luftës kundër popullsisë joserbe në Bosnje.
Ish-gjenerali serbo-boshnjak Ratko Mlladic dhe ish-lideri i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhic janë ndodhur sot pak metra distancë nga njëri-tjetri në gjykatën e Hagës.
I pari në paraqitjen e tij të parë përpara trupit gjykues, ndërsa i dyti në mes të zhvillimit të procesit ndaj tij, i nisur në tetor të vitit 2009. Mlladic dhe Karaxhic mbahen të dy në burgun e Hagës në Sheveningen, por mes tyre nuk ka pasur asnjë kontakt.
Ata përballen me akuza të ngjashme si genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke bërë që prokurorët të shqyrtojnë mundësinë e një gjykimi të përbashkët.
Në seancën e sotme, Mlladic u njoh me akuzat ndaj tij, të cilat i cilësoi si “të tmerrshme”. Ai tha se gjatë luftës në Bosnje kishte mbrojtur vetëm popullin dhe vendin e tij.
Gjykatësi Alphonse Orie caktoi seancën e radhës që do të jetë më 4 korrik, duke i dhënë Mlladicit 30 ditë kohë për të përgatitur mbrojtjen e tij.
Top Channel